Na vjen keq, por ju nuk keni asnjë produkt në shportën tuaj të blerjes.

Antarësohu në

Frutat dhe perimet luftojnë kancerin

Shpeshherë është folur për rëndësinë që ka konsumimi i frutave dhe perimeve, të cilat garantojnë një ushqyerje të shëndetshme. Një dietë e ekuilibruar, e përqendruar tek konsumi i frutave dhe perimeve është ideale për të mbajtur trupin në formë.

Shpeshherë është folur për rëndësinë që ka konsumimi i frutave dhe perimeve, të cilat garantojnë një ushqyerje të shëndetshme. Një dietë e ekuilibruar, e përqendruar tek konsumi i frutave dhe perimeve është ideale për të mbajtur trupin në formë, por tashmë së fundmi shkencëtarët kanë arritur në konkluzionin se konsumimi i tyre parandalon një sërë sëmundjesh, madje dhe kancerin. Gjithashtu disa ushqime jo vetëm e parandalojnë, por edhe e luftojnë kancerin.

Duke u bazuar në një sërë studimesh shkencore dhe testimesh të ndryshme mjekët amerikanë kanë arritur në përfundimin se dieta është mjaft e rëndësishme për parandalimin dhe përhapjen e disa sëmundjeve. Ndërsa është folur shpesh për rëndësinë që ka konsumi i një molle në ditë, së fundmi është arritur në përfundimin se molla parandalon shfaqjen e kancerit, sidomos atij të grykëve, të mushkërive dhe të gjirit.

E gjitha kjo realizohet falë Kuerçetinës, substancës që është në gjendje të mbrojë ADN e qelizave. Mollët japin më shumë efekt nëse hahen së bashku me lëkurën, pasi ajo përmban pjesën më të madhe të substancave ushqyese.   

Përveç mollëve ka dhe fruta e perime të tjera që parandalojnë dhe luftojnë kancerin. E tillë është boronica, që, falë pranisë së acidit benzoik, pengon zhvillimin e kancerit të mushkërive, të zorrës së trashë si dhe disa tipe leuçemie. Në të njëjtën kohë sipas shkencëtarëve kujdes duhet treguar edhe përsa i përket perimeve që kanë shumë pigment. Sa më shumë ngjyrë të theksuar të kenë ato dhe sa më të shijshme të jenë aq më të efektshme janë në luftën kundër kancerit.

Në këtë mënyrë sa më të pasura të jenë perimet me pigment aq më të larta janë vlerat e tyre ushqyese, që ndihmojnë në parandalimin dhe luftimin e kancerit. Kungujt, karrotat dhe patatet e ëmbla që përmbajnë karoten ndihmojnë mjaft në parandalimin e kancerit të zorrës së trashë, prostatës, të gjirit dhe mushkërive. Nga ana tjetër perime si lakër, brokoli, lulelakër etj janë mjaft efektive në luftën ndaj kancerit prandaj duhet të jenë domosdoshmërisht pjesë e dietës suaj.

Sipas studimeve të ndryshme personat që ndjekin një dietë vegjetariene janë më pak të predispozuar të preken nga tumori i stomakut, i zorrës së trashë, i mushkërive apo prostatës. Nëse jeni duke përgatitur me domate të freskëta salcën për makaronat që do servirni për drekë apo darkë ju jeni duke përgatitur një ilaç mjaft të efektshëm kundër kancerit. Tek domatet që ne i përdorim edhe për sallatë gjendet një substancë shumë e fuqishme, Likopeni, i cili na mbron nga kanceri.

Por kur e gatuani domaten për të përgatitur salcën sasia e likopenit shtohet pesë herë më shumë. Sipas studiuesve të universitetit të Kalifornisë ngrohtësia që çlirohet gjatë gatimit prish muret e qelizave të domates, çliron likopenin që përmbajnë ato duke e bërë plotësisht të tretshëm për organizmin e njeriut, duke na mbrojtur nga rreziku i tumoreve. Ashtu si domatet edhe brokolit, hudhrat, qepët, specat, kërpudhat, bizelet, gështenjat, pjepri etj. janë të gjitha ushqime që parandalojnë prekjen nga kanceri.

Kështu, kur nisni të përgatisni tavolinën për vaktet tuaja mos harroni asnjëherë të përfshini në të edhe frutat e perimet, sidomos ato që janë më të efektshme në luftën kundër kancerit. Parandalimi i sëmundjes është një hap mjaft i rëndësishëm për të garantuar një shëndet të mirë, prandaj me vetëm pak kujdes nga ana juaj ju mund të arrini rezultate mjaft të mira në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme dhe veçanësisht kancerit. Në vendet e zhvilluara po lind një shkencë e re, e cila po përpiqet të zbulojë se në ç’mënyrë ushqimi modifikon funksionimin e organizmit në nivelin molekular.

Në të ardhmen do të kemi rekomandime të veçanta për mënyrën e të ushqyerit të çdo personi duke u përqendruar tek profili gjenetik i gjithsecilit prej nesh. Mënyra e të ushqyerit ndikon mjaft në cilësinë e jetës së gjithsecilit prej nesh dhe më në fund do ta kemi të shpjeguar shkencërisht një gjë të tillë.    


Hudhrat dhe qepët

Këto perime mund të frenojnë zhvillimin e kancerit, veçanërisht në ezofag, në stomak dhe kolonë. Këtë gjë e dëshmojnë studimet e kryera në Kinë dhe Itali. Prania e squfurit tek to duket se jep një ndikim të madh në organizëm për mos zhvillimin e qelizave kancerogjene. Kuerçitina është një molekulë që pengon zhvillimin e kancerit dhe efekti i saj është provuar tek qelizat kancerogjene të zhvilluara në laborator si dhe tek tumoret e shfaqura tek kafshët.


Portokallet dhe limonat

Portokallët janë veçanërisht të efektshëm për parandalimin e kancerit të ezofagut dhe stomakut. Ato përmbajnë substanca që bllokojnë rritjen e qelizave tumorale. Portokalli i kuq në këtë rast është më i efektshëm. Ndërsa tek limonat molekulat me aftësi antioksiduese dhe antitumorale janë flavonoidet.


Brokoli

Perimet si brokolit, lakrat, lulelakrat, rrepat etj janë ndër ushqimet më të efektshme kundër kancerit. Konsumimi i pesë apo më shumë porcioneve në javë i këtyre perimeve ul me 50% rrezikun e prekjes nga tumori i fshikëzës së urinës.


Karrotat

Karoteni, që është i pranishëm tek frutat apo perimet me ngjyrë të verdhë apo të portokalltë na mbron nga kanceri i gjirit. Një studim danez ka arritur në përfundimin se Falkarinoli, që gjendet tek karrotat dhe erëza e majdanozi parandalon kancerin e zorrës së trashë. Por gjatë gatimit kjo substancë shkatërrohet.


Çokollata

Nëse nuk ekzagjerojmë me të, çokollata e zezë mund të bëhet pjesë e një diete të shëndetshme. Ajo është e pasur me antioksidantë të fuqishëm, në gjendje të ngadalësojnë procesin e degjenerimit të qelizave. Vetëm një ndarje e vogël e saj përmban aq antioksidues sa një filxhan çaj jeshil, ndërsa një filxhan çokollatë e nxehtë përmban 5 herë më shumë se një filxhan çaj i zi dhe 3 herë më shumë se një filxhan çaj jeshil.  


Fruta pylli

Luleshtrydhet, boronicat etj janë të pasura me një lloj acidi që ndalon qelizat tumorale të ushqehen me rruazat e gjakut.


Peshku

Sardelet dhe peshku ton janë peshqit me prezencë më të lartë të omega 3, acidit që zvogëlon rrezikun e prekjes nga kanceri i gjirit, ai i zorrës së trashë dhe prostatës dhe zvogëlon aftësitë e qelizave malinje të zhvillohen.


Bimët aromatike

Mentet, borziloku, rozmarina etj përmbajnë Terpen, molekula të afta të bllokojnë funksionimin e disa onkogeneve (gene që çojnë i shndërrojnë qelizat në kancerogjene).


Domatet

Domatet e parandalojnë kancerin përgjithësisht për shkak të prezencës së likopenit, pigmentit që i jep ngjyrën e kuqe asaj dhe që gjendet në sasi të madhe në salcën e përgatitur nga domatet e freskëta. Likopeni parandalon veçanërisht kancerin e prostatës.


Soja

Shumë studime nxjerrin në pah numrin e reduktuar të rasteve me kancer të zorrës së trashë, prostatës apo gjirit në popullsitë e vendeve aziatike. Një nga arsyet e këtij numri të ulët të rasteve është dieta e pasur me sojë e këtyre vendeve. Efekti pozitiv i këtij produkti është i lidhur me estrogjenet me origjinë vegjetale, që ushtrojnë një veprim mbrojtës sidomos përsa u përket tumoreve që shkaktohen nga hormone, siç janë ato të gjirit dhe prostatës.


Çaji jeshil

Janë të shumta studimet që evidentojnë rolin mjaft të madh që luan çaji jeshil kundër kancerit. Merita për këtë i takon katekinës, molekulës që ndalon zhvillimin e shumë qelizave tumorale si ato të leuçemisë, kancerit të veshkave, të lëkurës, të gjirit, prostatës etj. 


Vera e kuqe

Për të parandaluar kancerin ndihmon edhe vera e kuqe, megjithëse duhet në sasi të limituar (një gotë për vakt për meshkujt dhe gjysëm për femrat). Sipas një studimi të universitetit të Queensland në Australi, një antioksidues që ndodhet në kokrrat e rrushit, është në gjendje të parandalojë tumoret duke rritur jetëgjatësinë e qelizave të sëmura. Antioksiduesi Resveratrol thuajse mungon në verën e bardhë.


Yogurt

Nëse konsumoni rregullisht qumështin dhe kosin ulni me 78% rrezikun e prekjes nga kanceri i mëlçisë. Një studim amerikan vë në dukje rolin parandalues të kalçiumit përsa i përket kancerit të zorrës së trashë.

- See more at: http://www.durreslajm.com/extra/frutat-dhe-perimet-luftojn%C3%AB-kancerin#sthash.Smieh5U4.dpuf